V. LIRIA E SHPREHJES DHE E MEDIAS

E drejta e lirisë së shprehjes përfshin lirinë e mendimit dhe lirinë për të marrë ose për të dhënë informacione dhe ide pa ndërhyrjen e autoriteteve publike dhe pa marrë parasysh kufijtë shtetëror. Ushtrimi i këtyre lirive që përmban detyrime dhe përgjegjësi, mund t’u nënshtrohet atyre formaliteteve, kushteve, kufizimeve ose sanksioneve të parashikuara me ligj dhe që janë të nevojshme në një shoqëri demokratike. Kjo e drejtë nuk kufizon autoritetet shtetërore që t’u kërkojnë ndërmarrjeve të transmetimit audioviziv, televiziv ose kinematografik të pajisen me licencë. [i]

Liria e shprehjes është ndër themelet kryesore të shoqërisë dhe një ndër kushtet kryesore për progresin e saj dhe zhvillimin e secilit person. Kjo e drejtë nuk mbron vetëm informacionet ose idetë e pranueshme [nga publiku] dhe ato që konsiderohen jo-ofenduese, por mbron edhe informacionet ose idetë që fyejnë, trondisin ose shqetësojnë; të tilla janë kërkesat e pluralizmit, tolerancës dhe mendjes së hapur, pa të cilat nuk mund të ketë një shoqëri demokratike. [ii]

Liria e shprehjes është e rëndësishme për respektimin e të gjitha të drejtave tjera të njeriut. Pa të, abuzimet e shtetit me të drejtat e njeriut do të kalonin pa u hetuar gjë që do të çonte në mungesë të llogaridhënies së autoriteteve publike. Për më tepër, liria e shprehjes lehtëson shkëmbimin edhe të informacioneve kulturore, politike dhe shoqërore. Ajo promovon njohurinë, mirëkuptimin dhe tolerancën në shoqëri kulturore diverse siç janë ato në Europë. [iii]

Për gazetarë dhe media liria e shprehjes është e rëndësishme për shkak të rolit të tyre në zbulimin e së vërtetës, informimin e publikut, mbajtjen përgjegjës të politikanëve, kërkimit të llogaridhënies nga autoritetet publike dhe të drejtën që të jenë vazhdimisht skeptikë ndaj veprimeve të qeverisë. Në veçanti, duke e informuar publikun, gazetarët i mundësojnë publikut që të marrë pjesë në vendimmarrje dhe në zhvillimin e demokracisë. Për këtë arsye, Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut (GjEDNj) i sheh gazetarët si mbikëqyrës publikë, roli i të cilëve është të shpërndajnë informacione dhe ide [iv] përmes mjeteve të ndryshme si televizioni, [v] gazetat, [vi] mediat online [vii] dhe mjeteve tjera të informimit.
Konsiderohet se është detyrë e [shtypit] për të dhënë informacione dhe ide mbi çështjet politike, si edhe në fusha të tjera të cilat kanë interes publik. Jo vetëm që shtypi ka detyrë të japë informacione dhe ide të tilla por edhe publiku ka të drejtë t’i marrë ato.” [viii]

Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe Lirive Themelore

Neni 10: Liria e Shprehjes

  • 1. Çdokush ka të drejtën e lirisë së shprehjes. Kjo e drejtë përfshin lirinë e mendimit dhe lirinë për të marrë ose për të dhënë informacione dhe ide pa ndërhyrjen e autoriteteve publike dhe pa marrë parasysh kufijtë. Ky nen nuk i ndalon Shtetet që t’u kërkojnë ndërmarrjeve të transmetimit audioviziv, televiziv ose kinematografik të pajisen me licencë.
  • 2. Ushtrimi i këtyre lirive që përmban detyrime dhe përgjegjësi, mund t’u nënshtrohet atyre formaliteteve, kushteve, kufizimeve ose sanksioneve të parashikuara me ligj dhe që janë të nevojshme në një shoqëri demokratike, në interes të sigurisë kombëtare, integritetit territorial ose sigurisë publike, për mbrojtjen e rendit dhe parandalimin e krimit, për mbrojtjen e shëndetit ose të moralit, për mbrojtjen e dinjitetit ose të të drejtave të të tjerëve, për të ndaluar përhapjen e të dhënave konfidenciale ose për të garantuar autoritetin dhe paanshmërinë e pushtetit gjyqësor.
5.1 Të drejtat dhe përgjegjësitë e gazetarëve

Rolin e mbikëqyrësit publik gazetarët e luajnë duke mbledhur dhe shpërndarë informacione që janë në interes të publikut. Mirëpo, përkundër shërbimit që ata ia bëjnë shoqërisë liria e tyre e shprehjes nuk është një e drejtë absolute. Profesioni i tyre përfshin të drejta dhe obligime të cilët gazetarët janë të detyruar t’i respektojnë në mënyrë që të përfitojnë mbrojtjen e duhur ligjore. Edhe Komisioni Europian rekomandon që gazetarët të raportojnë në përputhje me parimet etike. [ix]

Duhet ritheksuar se e drejta e lirisë së shprehjes nuk është e pakufizuar edhe kur bëhet fjalë për raportime që janë me interes publik. [x] Shpërndarja e informacioneve nga gazetarët duhet të bëhet në pajtim me të drejtat dhe obligimet e tyre pa tejkaluar kufijtë e caktuar sidomos kur vihet në pikëpyetje reputacioni dhe të drejtat e të tjerëve. [xi]

Me të “drejta dhe përgjegjësi” të gazetarëve nënkuptohet që gazetarët duhet të veprojnë në mirëbesim dhe të ofrojnë informata të sakta dhe të besueshme në pajtim me standardet etike të gazetarisë. [xii] Të punosh në mirëbesim dhe në pajtim me obligimin për verifikimin e akuzave nënkupton që – në varësi të nivelit të akuzave – gazetarët duhet të kenë bazë faktike të mjaftueshme. [xiii]

Sa më serioze akuzat në raportime aq më solide dhe të qëndrueshme duhet të jenë faktet e gazetarit në të cilat i mbështetë ato akuza. [xiv] Për më tepër, liria e shprehjes nuk garanton të drejtë absolute të gazetarëve që të ngrenë akuza kriminale ndaj personave, nëse gjatë kohës së raportimit nuk ekzistojnë fakte të mjaftueshme për të mbështetur një gjë të tillë dhe pa ia ofruar palës të drejtën që t’i përgjigjet akuzave. [xv] Pra gazetarët duhet të kenë në dispozicion faktet akuzuese para publikimit ose transmetimit të informacionit.

Është e rëndësishme që mediat të bëjnë dallimin midis opinionit (gjykimit të vlerave) dhe fakteve. Ekzistenca e fakteve mund të demonstrohet ndërsa opinioni nuk është objekt i provueshmërisë (vërtetimit). [xvi] Mirëpo, para së një medium të lirohet nga obligimi që të verifikojë faktet duhet të ekzistojnë rrethana të veçanta dhe burime të besueshme në të cilat mund të mbështetet gazetari. [xvii] Koluministët (opinionistët) kanë të drejtë që të bazohen në thashetheme, artikuj dhe deklarata të të tjerëve kur shkrimet e tyre kanë të bëjnë me çështje me interes publik dhe të kërkosh nga ata që të vërtetojnë faktet që komentojnë konsiderohet e paarsyeshme nëse jo e pamundur. [xviii]

Shumicën e kohës gazetarët raportojnë deklarata të të tjerëve ose u ofrojnë të tjerëve një platformë për të shprehur qëndrimet e tyre. Gazetarët nuk mund të dënohen apo të mbahen përgjegjës për shpërndarjen e deklaratave të bëra nga të tjerët - përveç nëse ka arsye të forta për të bërë një gjë të tillë - sepse një veprim i tillë do t’i ndalonte mediat të diskutonin çështjet me rëndësi publike. [xix]

Megjithatë, duhet nënvizuar se gazetarët nuk mund të shkelin ligjin në përpjekje për të bërë gazetari. Ata nuk janë të lirë nga obligimi i tyre që të respektojnë legjislacionin penal dhe e drejta e lirisë së shprehjes nuk i mbron në raste të tilla. [xx] Nëse veprojnë në kundërshtim me të ligjet penale, gazetarët bëhen subjekt i hetimeve penale. [xxi]

5.2 Rregullimi i medias në Shqipëri

Në Shqipëri nuk ka një ligj të posaçëm që rregullon median e shkruar [xxii] . Në Kushtetutën e Shqipërisë, neni 22 dhe neni 23 garantojnë respektivisht lirinë e shprehjes, lirinë e shtypit, të radios dhe televizionit si dhe të drejtën për informim. Ndërsa për shtypin nuk ka ligje të posaçme, rregullimi i medias audio-vizive bëhet me anë të Ligjit nr. 97/2013 datë 4.3.2013 për Median Audio-vizive në Republikën e Shqipërisë . [xxiii]

Gjithashtu, një sërë aspektesh ligjore që kanë lidhje me të drejtën për informim, detyrimin për respektimin e të dhënave personale, mbrojtjen e burimeve si dhe sinjalizimin janë të përfshira në legjislacionin përkatës të këtyre fushave.

Autoriteti i Medias Audio-Vizive (AMA) është autoriteti rregullator në fushën e shërbimeve të transmetimeve audio dhe audiovizive dhe shërbimeve të tjera mbështetëse në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Këshilli i Ankesave [xxiv] , si instancë brenda AMA-s, ka për objekt të punës pikërisht mbikëqyrjen e zbatimit të kodit dhe rregulloreve të miratuara nga AMA, që kanë të bëjnë sidomos me respektimin e dinjitetit e të drejtave të tjera themelore të njeriut, në mënyrë të veçantë mbrojtjen e të miturve, të drejtës për informacion dhe sensibilizimit të opinionit publik, lidhur me respektimin e normave morale dhe etike në programet e ofruesve të shërbimeve audiovizive.

Në bashkëpunim me institucionet dhe agjencitë e tjera shtetërore si Komisioni për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi si dhe Agjencia për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, ky Këshill nxjerr udhëzime apo rekomandime lidhur me rastet e shkeljes së standardeve profesionale dhe etikës në media.

Rregullimi i brendshëm i medias ose vetërregullimi ka mbetur një sfidë e vazhdueshme dhe gati individuale për median në Shqipëri.

Kodi i Etikës, që daton në vitin 1996 [xxv] , mbetet mjeti i vetëm i rregullimit të brendshëm të medias (vetërregullimit). Ai përfshin një sërë aspektesh të vetërregullimit, por nuk është detyrim ligjor dhe zbatimi i tij mbetet në diskrecion të gazetarit si dhe organizatës mediatike ku ai punon. Kodi i parë i Etikës në median shqiptare kishte si objekt gazetarinë e shkruar. Pas konsultimeve me aktorë lokalë si dhe organizatat e medias, ai u rishikua në vitin 2006 për të përfshirë dhe pasqyruar zhvillimet e vrullshme në median elektronike. Kodi i Etikës nuk përfshin aktualisht median online, e cila ka lulëzuar gjatë viteve të fundit, duke mos iu përgjigjur kështu dilemave të gazetarëve lidhur me parimet etike në median online.

Kodi është mbështetur nga shoqatat kryesore të gazetarëve që veprojnë në vend. Megjithatë roli i dobët i këtyre shoqatave, si dhe karakteri jodetyrues i Kodit ka sjellë shkeljen e vazhdueshme të tij dhe mungesën e pasojave për gazetarët apo mediat ku ata punojnë. Kohët e fundit janë bërë disa përpjekje për të krijuar Avokatin e lexuesve, brenda gazetës.

Kushtetuta e Shqipërisë

Neni 22

  • 1. Liria e shprehjes është e garantuar.
  • 2. Liria e shtypit, e radios dhe e televizionit është e garantuar.
  • 3. Censura paraprake e mjeteve të komunikimit ndalohet.
  • 4. Ligji mund të kërkojë dhënien e autorizimit për funksionimin e stacioneve të radios ose të televizionit.

Neni 23

  • 1. E drejta e informimit është e garantuar.
  • 2. Kushdo ka të drejtë, në përputhje me ligjin, të marrë informacion për veprimtarinë e organeve shtetërore, si dhe të personave që ushtrojnë funksione shtetërore.
  • 3. Kujtdo i jepet mundësia të ndjekë mbledhjet e organeve të zgjedhura kolektive.

Me ndihmën dhe mbështetjen e OSBE-së si dhe Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, në vitin 2010 u themelua Klubi Shqiptar i Medias, një strukturë që përmblidhte 14 transmetues/organizata mediatike lokale.

Synimi i këtij klubi ishte përcaktimi dhe promovimi i interesave të gazetarëve, nëpërmjet konsultimeve të gjëra me anëtarët e tij. Një tjetër objektiv ishte rritja e kapaciteteve të medias për të zhvilluar një mjedis profesional pune. Klubi ishte menduar të konsiderohej si një kanal i institucionalizuar komunikimi dhe ndërveprimi me institucionet shtetërore, shoqërinë civile dhe organizata të tjera të ngjashme.

Fusha e veprimit të Klubit të Medias ishte e kufizuar, ndërsa sfida më e madhe lidhej me autoritetin e këtij mekanizmi për të marrë vendime të dakordësuara nga të gjitha anëtarët si dhe për t'i bërë ato të zbatueshme nëpërmjet njohjes së autoritetit të tij. Klubi i Medias i pakësoi nismat e tij pas vitit 2013.

Aktualisht, ka një Këshill të Medias të themeluar në vitin 2015 me mbështetjen e zyrës së Këshillit të Europës në Tiranë. Ky këshill i përbërë nga shtatë gazetarë/ekspertë të medias ka si qëllim të standardizojë praktikat më të mira lidhur me etikën në media dhe nxitjen për përdorimin e praktikimin e tyre nga mediat në vend.

5.3 Parimet editoriale

Parimet editoriale të medias ku punon janë një udhëzues i mirë për gazetarin në raportimin e rasteve të krimit dhe të lajmeve nga gjykata. Ato drejtojnë gazetarin lidhur me mënyrat sesi ai/ajo siguron informacionin, verifikimin e burimeve, sigurimin e dokumentacionit si dhe shkrimin e lajmit. Ato janë gjithashtu një mburojë etike për të, në rastet në të cilat mund të ngrihen pyetje lidhur me sigurimin e informacionit apo mënyrën e raportimit.

Sidoqoftë, jo të gjitha grupet mediatike në Shqipëri e kanë një dokument të tillë që përmbledh parimet editoriale dhe mund të shërbejë si referencë në raste dilemash profesionale. Gazeta Shekulli dhe Gazeta Shqip kishin Kodet e tyre të Etikës, ndërsa edhe Free and Fair Media Group, botues i Shqiptarja.com dhe e Report TV, ka miratuar parimet editoriale të saj. Transmetuesi publik shqiptar, RTSH, i miratoi në Shtator 2016 Parimet Editoriale, dokument mbi të cilat bazohet puna e reporterëve dhe redaktorëve të këtij institucioni. Ky dokument është një udhërrëfyes në raportimin nga fusha të ndryshme si politika, kronika, aktualiteti, lajmet sociale.

Rrjeti Ballkanik për Gazetari Investigative ka gjithashtu parimet e tij editoriale, bazuar mbi disa rregulla të përgjithshme të raportimit profesional. BIRN është një organizatë e pavarur [xxvi] , e cila nuk lejon asnjë institucion shtetëror, qeveri, parti politike dhe interes komercial t’i influencojë parimet editoriale. BIRN nuk mbështet asnjë parti politike, kauzë kombëtare ose fe, ndërkohë që raporton mbi një shumëllojshmëri opinionesh politike në mënyrë të ndershme dhe të balancuar. Artikujt e opinioneve janë të ndara nga lajmet, reportazhet, analizat dhe investigimet. Pjesa e parimeve lidhur me raportimin e aktualitetit, krimit, çështjet nga gjykata përbën një pjesë të konsiderueshme të këtyre parimeve.

Parimet kryesore editoriale të BIRN përmblidhen si më poshtë:
  • Saktësia: saktësia është e shenjtë dhe nuk duhet të sakrifikohet për shkak të shpejtësisë
  • Paanësia dhe diversiteti i opinioneve: gazetarët duhet të jenë gjithmonë të lirë nga paragjykimet dhe nuk mund t’i fusin opinionet e tyre brenda lajmeve.
  • Ndershmëria dhe pavarësia editoriale: Audienca e BIRN duhet të ketë besimin që vendimmarrja e redaktorëve dhe gazetarëve nuk influencohet nga interesat politike, komerciale ose private.
  • T’i shërbesh interesit publik: BIRN raporton ngjarje me rëndësi, bën pyetje të vështira për zyrtarët publik dhe investigon punën e tyre, ndërsa mbron burimet e veta të informacionit.
  • Privatësia: BIRN respekton privatësinë dhe nuk publikon komunikime private, përveç në rastet kur ka një interes të qartë publik.
  • Dëmi dhe ofendimi: Gazetarët duhet të tregojnë ndjeshmëri ndaj burimeve vulnerabël dhe fëmijëve si dhe viktimave të traumës. Ato nuk duhet të përdorin termin ‘kriminel’ për të dyshuarit që nuk janë shpallur fajtor dhe duhet të respektojnë të drejtën për një gjykim të drejtë. Gazetarët nuk duhet të përdorim institucionet shtetërore si i vetmi burim dhe duhet të mbrojnë identitetin e dëshmitarëve të mbrojtur.
  • Llogaridhënia: Ne jemi përgjegjës ndaj lexuesve tanë, ndaj i pranojmë gabimet tona dhe i korrigjojmë ato shpejt

Megjithatë, mediat e lartpërmendura përgjithësisht përbëjnë përjashtimin nga rregulli. Në një pjesë të madhe të medias, vendimi editorial merret mbi bazën e praktikave më të mira ose rast pas rasti. Sa më qartë të përcaktuara të jenë parimet editoriale, aq më profesionale është media dhe aq më cilësor është informacioni që i ofrohet publikut.

5.4 E drejta për informim

Koncepti i të drejtës për informim nuk është i ri për reporterët dhe redaktorët shqiptarë. Megjithëse zbatimi i tij në praktikë ka hasur shpesh në vështirësi apo pengesa, ligji për të drejtën e informimit ka ekzistuar që prej vitit 1999.

Në shtator 2014, Kuvendi i Shqipërisë miratoi disa ndryshime rrënjësore në këtë ligj, duke lehtësuar një akses më të madh te dokumentet zyrtare për publikun, afate më efektive për dhënien e informacionit si dhe penalitete konkrete për zyrtarët publikë që refuzojnë të bëjnë informacionin e disponueshëm për publikun.

Në parim, një gazetar është i aftë të marrë akses në shumicën e informacionit publik, dokumenteve apo dhënave në Shqipëri nëpërmjet dorëzimit të një kërkese për të drejtë informimi.

Ligji i ri [xxvii] përfshin një numër konceptesh të reja në lidhje me kërkesat për të drejtë informimi, përfshirë riklasifikimin e dokumenteve sekrete, publikimin e informacionit të pjesshëm si dhe përdorimin e teknologjisë së informacionit për ta bërë informacionin e mbajtur nga institucionet publike të disponueshëm për publikun.

Ligji detyron gjithashtu institucionet publike të emërojnë koordinatorë për të drejtën e informimit dhe krijoi institucionin e Komisionerit për të Drejtën e Informimit, një institucion apeli në rastet kur institucionet ose refuzojnë t’i përgjigjen kërkesave ose japin informacion të pjesshëm.

Kërkesat për të drejtë informimi drejtuar një autoriteti të përfshirë në këto tri kategori mund të kërkojnë potencialisht informacionin në çdo formë apo format, në letër apo elektronik, pavarësisht faktit se një informacion i tillë mund të jetë hartuar nga autoriteti apo mund të jetë marrë nga institucione të tjera apo individë.

Në Shqipëri, kërkesat për të drejtë informimi mund të plotësohen nga çdo individ apo organizatë, nënshtetas shqiptar apo i huaj. Një kërkues mund të jetë individ, kompani apo organizatë jofitimprurëse.

Së fundmi ka një rritje të ndërgjegjësimit për legjislacionin e ri dhe një tendencë në rritje të kërkesave lidhur me aksesin në informacion drejtuar institucioneve publike. Megjithatë, ende vërehen pengesa lidhur me zbatueshmërinë e ligjit, gjë që e vështirëson punën e gazetarëve në mbledhjen apo verifikimin e informacionit në burime zyrtare.

Gazetarët ankohen se transparenca nuk është ende në nivelet e duhura sidomos në gjykata, ku informacionet mbi gjyqet, datat, afatet dhe çështjet është vështirë të gjenden online.

Sfidat apo vështirësitë që lidhen e raportimin nga gjykata janë të shumëllojshme. Pikësëpari, rregulli universal lidhur me këtë kërkon që informacioni duhet të mblidhet në mënyrë etike dhe ligjore. Ligjet që duhet të konsultohen janë Ligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, ligji për të Drejtën për Informim si dhe Kodi i Procedurës Penale dhe Civile.

Personi që intervistohet duhet të ketë të drejtën të dijë nga cila media dhe në çfarë konteksti do të përdoren prononcimet e tij. Duhet treguar maturi ndaj njerëzve që mund të mos jenë të ndërgjegjshëm për pasojat që kanë deklaratat që ata japin. Nëse gazetarit i mohohet në mënyrë të padrejtë aksesi në informacion, ai ka të drejtë të informojë publikun e gjerë për këtë gjë. Thashethemet dhe fjalët e burimeve anonime nuk duhet të botohen si lajm, përveç rastit kur informacioni është me rëndësi jetike për publikun dhe në këtë rast duhet bërë e qartë se informacioni është i paverifikuar.

Personat që intervistohen duhet të ketë të drejtën të dijë nga cila media dhe në çfarë konteksti do të përdoren prononcimet e tij. Duhet treguar maturi ndaj njerëzve që mund të mos jenë të ndërgjegjshëm për pasojat që kanë deklaratat që ata japin.

Nëse gazetarit i mohohet në mënyrë të padrejtë aksesi në informacion, ai ka të drejtë të informojë publikun e gjerë për këtë gjë.

Rast: Gjykata urdhëron SHISH të deklasifikojë dokumente të arkivës së ish-Sigurimit

Pas një beteje tetëmujore gjyqësore të BIRN Albania me SHISH, me 18 Nëntor 2016 Gjykata Administrative e Tiranës vendosi që dokumentet mbi numrin e personave të përndjekur nga ish-Sigurimi nuk janë sekret dhe duhet t’i bëhen me dije publikut.

Gjykata Administrative e Tiranës urdhëroi Shërbimin Informativ Shtetëror që të deklasifikojë informacionin mbi numrin e personave që përndiqeshin nga ish-Sigurimi i Shtetit në dekadën e fundit të komunizmit-të dhëna që derimë sot janë konsideruar “sekret” dhe janë mbajtur të kyçura në arkivë.

Vendimi u dha më 17 nëntor nga gjyqtari Gentian Hamiti, duke i dhënë të drejtë një beteje tetëmujore të BIRN Albania me Shërbimin Informativ-SHISH, për dokumentet që mbahen ende të klasifikuara, por që i shërbejnë medias dhe opinionit publik për të hedhur dritë mbi metodat famëkeqe të përndjekjes së qytetarëve shqiptarë nga policia sekrete e regjimit komunist.

Më 6 mars 2016, gazetari Gjergj Erebara i BIRN Albania i kërkoi SHISH përmes një kërkese për të drejtë informimi analizën vjetore të Sigurimit për vitet 1980-1989 dhe numrin e personave të ndjekur për figura të ndryshme armiqësore, referuar dosjeve të kategorisë 2A për të njëjtën periudhë.

SHISH refuzoi të japë informacionin e kërkuar, duke pretenduar se ligji 8043 i vitit 1995 “Për kontrollin e figurës së zyrtarëve dhe personave të tjerë që lidhen me mbrojtjen e shtetit demokratik” e ndalon atë që të japë dokumente nga arkiva e ish-Sigurimit të Shtetit.

Përgjigja negative u ankimua fillimisht te Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe pas u dërgua në gjykatë, pasi SHISH refuzoi në vazhdimë si të jepte informacionet e kërkuara.

Pasi shqyrtoi aktpadinë e BIRN, gjyqtari Hamiti doli në konkluzionin “se pretendimet e SHISH për klasifikimin e këtyre dokumenteve si sekret nuk qëndrojnë”. Gjykata e detyroi SHISH të deklasifikojë informacionet dhe t’i vërë në dispozicion të BIRN Albania.

Informacioni i klasifikuar

Publikimi i informacionit të klasifikuar në Shqipëri është i rregulluar nga ligji Nr. 8457, datë 11.02.1999 “Për informacionin e klasifikuar si “Sekret Shtetëror”. Publikimi i informacionit të klasifikuar konsiderohet vepër penale dhe është i dënueshëm me gjobë dhe me burg deri në pesë vjet. Në Shqipëri askush nuk është proceduar për një vepër të tillë penale përgjatë dy dekadave të fundit.

Anonimizimi

Që prej fillimit të vitit 2017-të, gjykata e shkallës së parë dhe ato të apelit në Shqipëri kanë filluar të anonimizojnë vendimet e publikuara në bazat e të dhënave online. Procesi i fshirjes së emrave të palëve në proceset gjyqësore u nxit nga dy udhëzime të Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, të lëshuara në vitin 2011 dhe 2012. Të lëna prej disa vitesh në harresë, këto udhëzime u riaktivizuan në qershor të vitit 2016 nga ministri i Drejtësisë në atë kohë, Ylli Manjani për t’u zbatuar fillimisht në faqen online të Gjykatës së Tiranës dhe më pas në të gjitha gjykatat e vendit. Anonimizimi i vendimeve gjyqësor është kundërshtuar me forcë nga gazetarët që mbulojnë gjykatat, të cilët shprehen se kjo praktikë, ndryshe nga se pretendohet, nuk ka për qëllim të mbrojë viktimat nga abuzimet në media por të mbrojë zyrtarët publik të proceduar për korrupsion dhe abuzim me pushtetin, si dhe të shmang llogaridhënien e gjyqësorit ndaj publikut.